Lajme

Nuk përjashtohet mundësia e paraqitjes së varianteve të reja të COVID-19 në Kosovë

QKUK

Profesionistët shëndetësorë nuk përjashtojnë mundësinë që në Kosovë të paraqiten variante të reja të Coronavirusit. Megjithatë, thonë se institucionet janë në gjendje gatishmëri për trajtimin e pacientëve.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj, thotë se natyra e virusit Corona është e tillë që ka mundësi të transformohet që të pësojë mutacione të shumta dhe për këtë arsye aplikimi i masave është i nevojshëm.

Megjithatë, ai thekson se janë në dispozicion 20 shtretër në mjekimin intensiv duke shtuar se kanë kapacitete për 98 të tjerë. Vishaj potencon se janë të gatshëm që të menaxhojnë çdo lloj të varianti të Covid-19.

“Barna kemi mjaftueshëm. Ajo çka është e rëndësishme është oksigjeni dhe kemi pasur tërë kohën. Ne jemi të gatshëm për çdo lloj varianti. Tani jemi në fazën kur kemi përgjysmim të hospitalizuarve dhe jemi duke e përcjell me dinamikë situatën”, pohon Vishaj për EO.

Arben Vishaj emërohet u.d i Klinikës Infektive – Familjajone
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj

Ndërsa, kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, bën apel që t’i jepet prioritet vaksinimit grave shtatzëna.

Sipas tij, virusi po përhapet shumë shpejt te fëmijët, “duke prekur edhe veshkën, mëlçinë dhe zemrën”.

Ai thekson se para fillimit të vitit shkollor duhet të bëhet edhe vaksinimi i fëmijëve të moshës 12 vjeç. Përveç variantit Mu, Syla thotë se do të ketë edhe variante të tjera.

“Te fëmijët është ka shihet që po përhapet shumë më shpejt, mirëpo edhe te të rriturit. Virusi e prek edhe veshkën, mëlçinë, zemrën dhe sistemin nervor qendror”.

“Do të fillojë shkolla dhe mirë është për të filluar vaksinimi i fëmijëve për moshën 12 vjeç, të hapen më shumë qendra vaksinimi. Nuk është i fundit ky variant do të ketë edhe të tjerë. Andaj duhet të përgatitemi edhe për këtë variant”./SHQIP.com

dr blerim syla 30 04 2017 - YouTube
Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla