Lajme Botë

Norvegjia do të blejë raketa nga SHBA-të në vlerë 500 milionë dollarë

“Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme si për aftësitë mbrojtëse të Norvegjisë, ashtu edhe për bashkëpunimin amerikano-norvegjez të mbrojtjes”, tha të hënën në një deklaratë ministri i Mbrojtjes së Norvegjisë, Bjorn Arild Gram.

Oslo tha se raketat AMRAAM-D do të shërbejnë si arma kryesore e përdorur për të mbrojtur hapësirën ajrore norvegjeze për dekadat e ardhshme dhe përfaqëson prokurimin më të madh ndonjëherë të armëve për Forcat e Armatosura Norvegjeze.

“Ne jemi shumë të kënaqur që edhe Norvegjia tani do të ketë akses në raketa të tilla të avancuara dhe që po kryejmë një blerje kaq të madhe të raketave ajër-ajër me rreze të mesme veprimi (AMRAAM) që do të çlirojë potencialin e F-35”, tha Gram.

Ai theksoi se kjo është veçanërisht e rëndësishme në dritën e situatës aktuale të sigurisë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, AMRAAM-D është një version i përmirësuar i raketës që është përdorur më parë si nga avionët luftarakë F-16 ashtu edhe nga sistemi i mbrojtjes ajrore NASAMS.

F-35 është i pajisur me sensorë që i mundësojnë të lokalizojë dhe identifikojë një gamë më të gjerë kërcënimesh në distanca shumë më të mëdha se avionët e mëparshëm.

“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje F-35 norvegjez gjithashtu do të kenë akses në një armë që vetë ka përmirësime të mëdha në aspektin e sensorëve dhe rrezes, dhe e cila do të jetë efektive kundër çdo gjëje, nga dronët dhe raketat e lundrimit te avionët e tjerë luftarakë”, tha Gro Jaere, drejtor gjeneral i Agjencisë Norvegjeze të Materialeve të Mbrojtjes (NDMA).

Sipas ministrisë, raketa e fundit do të vijë në vitin 2028 si pjesë e programit të madh “Joint Strike Fighter”.

/Shqip.com