Një seri dramash – në Serie A

Drama e quajtur “Serie A” mori fund – të dielën.
Qyteti i Milanit – u nda në dy pjesë: njëra anë festonte, tjetra ishte e mërzitur.
Disa skuadra patën sezon dëshpëruese, e diku tjetër u rikthye shpresa.
Perdet u mbyllën.
Vuajtjeve të rosonerëve i erdhi fundi

Pa blerje që kapin vlera astronomike, pa paga që prekin zenitin, por me shumë pasion dhe dashuri për fanellën.
Kuqezinjët e zotërojnë përsëri futbollin në Itali.
AC Milan u shpall kampion i Series A – pas 11-të viteve.
Një sezoni me ngritje dhe zbritje i erdhi fundi, teksa forma e lartë u vulos me një fitore 0-3 në udhëtim te Sassuolo.
Stefano Pioli e arriti misionin.
Lëvizja e gabuar – neurazurët të heshtur

Në fillim të sezonit 2021-22, Hakan Hakan Çalhanoglu u largua nga Milani – për te fqinjët e qytetit.
Por, kjo doli të jetë lëvizje e gabuar.
Mesfushuri turk së bashku me shokët e skuadrës e mbyllën sezonin në vendin e dytë.
Teksa, edhe nga Liga e Kampionëve u përshëndetën herët.
Një “ngushëllim” për zikaltërit është fakti që e fituan Kupën e Italisë.
Duarthatë – pa kapitenin

Napoli e mbylli edhe një sezon pa titull në Serie A.
Ani pse skuadra e udhëhequr nga Luciano Spalletti e nisi mirë sezonin dhe qëndroi disa xhiro në krye të tabelës – historia e vjetër u përsërit.
Napoletanët e mbyllën kampionatin me duarthatë – në pozitën e tretë.
Teksa, nga “Diego Armando Maradona Stadium” u largua edhe kapiteni – Lorenzo Insigne.
Një kapitulli të gjatë më shumë se një dekadë i erdhi fundi.
“Zonja e vjetër nuk e gjeti lumturinë”

Largimi i Cristiano Ronaldos nga Torino – la zbrazëti të mëdha.
Ani pse Allegri u rikthye në stolin e trajnerit, kjo nuk i zgjidhi problemin.
Juventusi e mbylli sezonin – në pozitën e katërt – pa asnjë trofe.
Herët u eleminuan edhe nga Championsi – ku ishin vetëm “turistë”.
Kampionati i ri – është shpresë për Juven, por drita nuk po shihet në fund të tunelit.
Lazio do luaj përsëri të enjteve

Në fillim të kampionatit – Lazio shihej si një skuadër konkuruese.
Kur – Sarri e mori timonin, ëndrrat për kualifikim në Ligën e Kampionëve u ngjallën.
Por, jo.
Vendi i pestë në tabelë është realiteti i këtij ekipi.
Madje, edhe këtë pozitë mezi e siguruan.
Europaliga po i pret.
Mourinho e ktheu shpresën në kryeqytet

“The Special One” nuk e kualifikoi dot Romën në Champions, ama në “Stadio Olimpicio” u rikthye shpresa.
Ulëse të zbrazëta nuk ka më.
Trajneri portugez e drejtoi këtë skuadër për në finale të Europa Conference League.
Nëse romakët arrijnë të triumfojnë në Tiranë – ndaj Feyneoordit – ky do ishte një sezon debutues i suksesshëm.
Futbollisti më i dalluar pa asnjë dyshim ishte Tammy Abraham – që e mbylli sezonën me 17 gola në Serie A.
Dëshpërim total i Atalantës
Në krye me Gian Piero Gasperini, Atalanta ka qenë skuadër tejet konkuruese në sezonet e fundit.
Madje, e shijuan edhe gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
Por, ky kampionat doli të jetë një dëshpërim i vërtetë.
Vendi i tetë është i barabartë me asgjë: as Champions, as Europaligë, as Europa Conference League.
Faturën mund ta paguaj Gasperini.
Genoa u dorëzua
15-të vite radhazi qëndruan në elitën e futbollit italian.
Kjo ishte seria më e gjatë në histori të tyre, por kësaj “aventure” i erdhi fundi.
Genoa nuk arriti të siguronte mbijetesën në Serie A dhe do të garojë në kategorinë e dytë të futbollit italian.
Për ekipin më të vjetër të futbollit në Itali – kjo ishte një kafshatë që nuk kapërdihet lehtë.
Serie B është realiteti i ri.
Në qiellin e shtatë

Sezoni ndryshon, por jo edhe Ciro Immobile.
Sulmuesi italian e mbylli edhe një sezon fenomenale – në nivel individual – me plot 27 gola.
Më së shumti në Serie A.
32 vjeçari ka kontratë me “Le Aquile” deri në vitin 2026 dhe duket që nuk e ka ndërmend të largohet – ani pse ofertat nuk i kanë munguar.
Mr. Assist

Saussolo nuk pati sezon për tu mbajtur mend.
Por, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Domenico Berardi.
Majtaku regjistroi më së shumti asistime në Serie A – gjithsej 14-të.
Teksa, rrjetën e tundi 15-të herë.
Ai e dëshmoi edhe një herë se nuk ftohet rastësisht në kombëtaren italiane.
Muri i quajtur “Mike Maignan”

Në Francë u shpall kampion dhe portieri më i mirë ne Ligue 1.
Por, ai nuk ishte i kënaqur. Veten vendosi ta sfidonte edhe në Serie A.
Ai zbarkoi në “San Siro” – kur Gianluigi Donnarumma u largua dhe kishte të madh në supe.
Ama, Maignan nuk u ndal. E njëjta histori si në Francë e përcolli edhe në Itali.
U shpall kampion dhe portieri më i mirë.
Shumë herë ishte hero i rosonerëve dhe 17-të ndeshje i mbylli pa pranuar gol. /Shqip.com