“Një natë në mes të yjeve” – Osmani publikon fotografi nga premiera e filmit “Zgjoi” në ShBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar disa fotografi nga nata e së martës, ku e pranishme ka qenë në premierën e filmit kosovar “Zgjoi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fotografitë e publikuara nga ajo në Facebook, shihet krah këngëtares shqiptare me famë botërore, Dua Lipës, aktores Yllka Gashi, regjisores Blerta Basholli dhe Fahrije Hotit, themeluese e ndërmarrjes “Krusha”.
“Një natë në mes të yjeve të Kosovës sonë të dashur”, ka shkruar presidentja Osmnani, teksa natën e kaluar në premierën e këtij filmi e ka cilësuar si “shumë madhështi, talent, hijeshi e krenari me një vend”.
“Kënaqësi e veçantë t’i bashkojmë forcat me Duan tonë për të përçuar në çdo cep të botës fjalën për suksesin e mesazhin human që përcjellë filmi i jashtëzakonshëm ‘Zgjoi’, i Blerta Bashollit i interpretuar me mjeshtëri nga Yllka Gashi dhe kasta e supertalentuar e aktorëve tanë”, ka shkruar më tej ajo.
Një reagim rreth filmit e ka bërë edhe Dua Lipa duke thënë se duhet të shikohet patjetër dhe se e meriton një çmim ‘Oscar’.
Ajo po ashtu ka treguar në pika të shkurtëra për përmbajtjen e filmit.
“Mbrëmë në shfaqjen e ‘HIVE (Zgjoi)’ – Një film i bukur i cili tregon historinë prekëse dhe frymëzuese të Fahrije Hotit dhe grave të Krushës. Kjo histori lufte dhe këmbënguljeje është ajo që duhet treguar”.
“Ajo flet për shpirtin e përvojës kosovare dhe shpresoj se mund të ndihmojë në shërimin kolektiv të familjeve që u ndanë dhe njerëzve që humbën të dashurit e tyre. Jam shumë krenare për atë që ka arritur Blerta Basholli – është një frymëzim i vërtetë. ‘HIVE’ përfshiu bordin e Sundance dhe mezi pres me shpresë që ta shoh atë të marrë një ‘Oscars’! Duhet të shikohet”, ka shkruar Lipa.
“Zgjoi” përndryshe është një prej filmave më të suksesshëm në Kosovë./SHQIP.com