Një muaj paraburgim për ministrin kroat, Darko Horvat – akuzohet për shpërdorim detyre

Të shtunën, Gjykata e Qarkut të Zagrebit dënoi ministrin e shkarkuar, Darko Horvat, me një muaj paraburgim.
I njëjti dyshohet se në vitin 2018, së bashku me asistentin e tij të atëhershëm, ka shpërndarë në mënyrë të paligjshme mjete të pakthyeshme për ndërtimin e fermave në vlerë miliona dollarësh, shkruajnë mediat kroate, transmeton Shqip.com.
Horvat u dënua me një muaj paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit te dëshmitarët, por jo rrezikut të përsëritjes së krimit, sepse me kërkesën e tij personale, kryeministri Andrej Plenkoviq e liroi nga detyra.
Më herët të shtunën, pas arrestimit të tij, kryeministri Plenkoviq thirri një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në të cilën i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që t’i shpjegojë publikut veprimet e saj në lidhje me Horvat, pasi sipas tij, koha e arrestimit është e çuditshme.
Pas seancës hetimore, USKOK tha se “nuk ka pasur kohë” dhe se “duhet të veprojnë kur të mbledhin prova”.
USKOK, me kërkesën e të cilit Horvat u urdhërua në paraburgim, propozoi marrjen në pyetje të 11 dëshmitarëve, tetë prej të cilëve janë punonjës të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe fondeve të Bashkimit Evropian.
Mediat kroate kanë raportuar se kjo është hera e parë që një ministër arrestohet gjersa është pjesëtar i qeverisë pasi që në të kaluarën janë arrestuar pas shkarkimit ose kur kishin poste qeveritare./SHQIP.com