Lajme

“Një bombë është vendosur, do të shpërthejë pas 10 minutash”/ Sekretari i Kuvendit të Kosovës zbulon mesazhin kërcënues , ishte shkruar në anglisht

Sekretari i Kuvendit, Arben Loshi, e ka bërë të ditur përmbajtjen e mesazhit kërcënues që u dërgua sot në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, ai nuk zbuloi se kujt i është dërguar mesazhi, duke thënë se këto informata i ka policia.

“Njoftimin neve si administratë na ka dhënë policia për t’i liruar hapësirat, ndërsa njoftimet tjera, policia i ka të dhënat, ne nuk i kemi të dhënat. Nuk mund të konfirmoj apo mohoj diçka që nuk e dimë saktë kush është njoftuar.

Loshi tha se mesazhi ishte i shkruar në gjuhën angleze dhe se aty u tha se një bombë është e vendosur në ndërtesën e Kuvendit dhe se ajo do të shpërthejë brenda 10 minutave.

“Sipas njoftimit që është dhënë nga policia në sallën plenare kur është kërkuar evakuimi i menjëhershëm, është kërkuar që të bëhet evakuimi për shkak se në gjuhën angleze një person ka thirrë dhe ka thënë se një bombë është vendosur në ndërtesën e Kuvendit dhe e njëjta do të shpërthejë në interval kohor pas 10 minutave”.

Gjithashtu, Loshi njoftoi se vazhdimi i seancës së sotme është shtyrë për në orën 20:00./Express/

/Shqip.com