Ngritet aktakuzë kundër 73 personave për rastin “Karaçeva”

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzën kundër 73 personave lidhur me rastin “Karaçeva”.
Sipas aktakuzës, 42 nga të dyshuarit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Kontrabandimi me mallra”.
Ndërsa, nëntë të tjerë kanë kryer veprat penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituara me kryerjen e veprës penale”, dhe “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”.
Dy nga të pandehurit akuzohen për shkak të veprës penale “Blerja pranimi, ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Ndërkaq, 20 prej tyre akuzohen se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Operacioni i Policisë dhe Prokurorisë i njohur si rasti “Karaçeva” është zhvilluar në shtatorin e vitit të shkuar, në fshatin Karaçevë, që është në kufi me Serbinë. Gjatë këtij aksioni është shkatërruar një rrjet që organizonte ilegalisht lojëra të fatit. Janë shkatërruar shumë ndërtesa, ndërsa edhe janë arrestuar shumë persona – mes tyre edhe zyrtarë policorë./SHQIP.com