Ngrihet aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë, mes tyre edhe Millan Radoiçiçi
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Millan Radoiçiqin, për sulmin e armatosur në Banjskë.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, në këtë fshat të Zveçanit – pjesa veriore e Kosovës – grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Autoritetet në Kosovë fajësuan udhëheqjen e shtetit serb për organizimin e, siç e cilësuan, sulmit terrorist, por ajo e mohoi përfshirjen.
Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer, po ashtu, hetime për rastin.
Ajo e ngarkon Radoiçiqin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në deklarimin e fundit që bëri për REL-in, më 15 korrik, kjo prokurori tha se hetimet për rastin “janë duke vazhduar”.
Në mes të korrikut, burimet e Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës thanë se punët rreth rastit në Banjskë “janë në fazën finale” dhe se “hetimet në rastin e Radoiçiqit kanë marrë epilogun përfundimtar”.
Atëkohë, ato paralajmëruan se aktakuza nuk do të ngrihet para vjeshtës, përkatësisht deri “pas përfundimit dhe ekzaminimit të disa raporteve periferike”.
Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin në fund të vitit të kaluar.
Ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi, në Kosovë janë të ndaluar tre persona në lidhje me rastin.
Muajin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për informacione në lidhje me rastin Banjska.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha pas sulmit se Radoiçiq gjendet në “territorin e Serbisë qendrore”.
Që atëherë, nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar për vendndodhjen e tij.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha në tetor të vitit të kaluar se Radoiçiq akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla – qytet në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës – në periudhën nga janari deri më 24 shtator të vitit të kaluar.
Ai u akuzua edhe për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Gjykata e Lartë në Beograd, tetorin e kaluar, e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tij dhe e la të lirë, por ia konfiskoi pasaportën dhe ia ndaloi shkuarjen në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me dorëzimin e Radoiçiqit dhe të “grupit të tij paramilitar terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
“Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti më 28 qershor.
Udhëheqja shtetërore në Serbi ka mohuar disa herë se ka gisht në sulmin në Banjskë.
Në muajin mars, disa media kanë raportuar se ambasadori i atëhershëm i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, është takuar me Radoiçiqin, por REL-i nuk ka arritur të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë që qarkullonte atëkohë.
Komuniteti ndërkombëtar, disa herë, ka bërë thirrje për llogaridhënie dhe ka kërkuar që ata që janë të përfshirë në sulmin në Banjskë, të sillen para drejtësisë.
/Shqip.com