Lajme

Ngërçi politik në vend, presidentja Osmani e gatshme t’i presë liderët e partive politike për takim

Presidentja Vjosa Osmani pritet të thërrasë në takim krerët e partive parlamentare pas ngërçit politik në vend. Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes, ka njoftuar se kabineti i presidentes do të kontaktojë së shpejti partitë për të caktuar një kohë të përshtatshme për takimin gjithëpërfshirës.

Kupina deklaroi se presidentja Vjosa Osmani tashmë ka shprehur gatishmërinë e plotë që nga data 16 prill 2025 që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka shprehë gatishmërinë e plotë, që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë. Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, tha këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

Të enjten, përfaqësues të Lidhjes Demokratike thanë se në parim janë pro një takimi që synon të zgjidhet ngërçi politik.

“Ne e kemi vendos këtë propozim në tavolinë. Jemi të hapur të jemi prezentë në takime të tilla për të nxjerrë vendin nga ngërçi institucional. Varet për çfarë ftohet takimi dhe çfarë qëllimi mund të ketë, s’mund të japë përgjigje në pyetje hipotetike, por ka qenë propozim i yni që të gjitha partitë parlamentare të mblidhen diku për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik”, tha Bajrami

/Shqip.com