Lajme

Nga 1 korriku gazetarët mund të aplikojnë për vaksinim

Pritet të nis vaksinimi për punëtorët medial

Komuniteti i gazetarëve të Kosovës është kategoria e radhës që do të ketë përparësi në vaksinimin anti-COVID, njofton Shqip.com.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka bërë të ditur se të gjithë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët nga nesër mund të aplikojnë për imunizim me vaksinat kundër Coronavirusit.

Siç thuhet në njoftimin e asociacionit, kjo është arritur pas kontakteve të shpeshta të AGK-së me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Sot komiteti respektiv ka marrë vendim për përfshirje të Gazetarëve me prioritet për imunizim! Me siguri që nga nesër edhe platforma e-Kosova do e mundësojë versionin me këtë ndryshim, dhe do njoftoheni sapo të jetë bërë përditësimi i ndryshimit në platformën e cekur”, thuhet në njoftimin e ministrisë për AGK-në.

Më tej, bëhet e ditur se AGK e sheh si tejet të rëndësishëm këtë vendim pasi që gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave.

“E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial. Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit që para shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”, thuhet në njoftim. /Shqip.com