Nga mesnata nis zbatimi i reciprocitetit me dokumente, Sveçla thotë se kosovarët s’do të maltretohen më nga Serbia

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është deklaruar për marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit që pritet të zbatohet më 1 shtator.
Sveçla tha se përmes kësaj marrëveshje, qytetarët e Kosovës nuk do të maltretohen në pikat kufitare që lidhin vendin me Serbinë.
“Për pak kohë fillon zbatimi që qytetarët e Kosovës shkojnë pa pengesa në territorin e Serbisë. Ky vendim po zbatohet pas 11 vjetësh. Tanimë nuk do të mund të maltretohen qytetarët tanë me dokumentacione te ndryshme e të shumta”.
Ai tha se “të gjitha instrumentet e sigurisë së Kosovës janë vigjilente” karshi veprimeve të Serbisë.
“Ka një kohë që ka një mobilizim shtesë dhe tani në ballafaqimin e fundit atje, pas vendosjes së barrikadave, kemi parë njerëz të uniformuar nëpër rrugët e veriut të Kosovës brenda një kohe të shkurtër duke i lënduar edhe disa qytetarë tanë”, deklaroi Sveçla në televizionin publik.
Ministri i Brendshëm theksoi se ajo çka ka ndodhur më 31 korrik dhe 1 gusht në pikat kufitare jkarinjë dhe Bërnjak ka qenë skenar i organizuar nga Serbia dhe realizohej nga njerëz të Serbisë në bashkëpunim me grupet kriminale të veriut.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 27 gusht kishte njoftuar se ishte arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.
“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”- kishte shkruar Borrell në Twitter.

Qeveria e Kosovës më 29 qershor pati marrë vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj qytetarëve të Serbisë, të cilët kur hyjnë në Kosovë të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.
Vendimi për dokumentet kërkon lëshimin e një dokumenti për hyrje/dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë.
Një dokument të tillë Serbia e lëshon për shtetasit e Kosovës që 11 vjet./Shqip.com