Lajme

Nga IHMK i reagojnë Sylë Tahirsylajt: E ke lënë Institutin me teknologji primitive

Koordinatori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Besim Aliu dhe meteorologu, Sylë Tahirsylaj

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka reaguar pas deklaratës së ish-drejtorit të këtij Instituti, Sylë Tahirsylaj, pasi ky i fundit kishte thënë se IHMK-ja nuk ka asnjë meteorolog të diplomuar, andaj nuk ka paralajmëruar për stuhinë e 6 qershorit.

Nga IHMK-ja kanë thënë se nuk kanë pasur inxhinier të meteorologjisë as në kohën kur Tahirsylaj ka qenë në udhëheqje të këtij Institucioni.

“Për njoftimin  tuaj IHMK edhe në kohën e z, Tahirsyles nuk ka pasur ingjinier të meteorologjisë dhe se as ai vet nuk ka qenë ingjinier i meteorologjisë.( Në shumë vendet e botës punët e meteorologjise i kryejnë fizianët apo edhe të tjerët të shkencave të natyrës, duke ndjekur trajnime nga OBM dhe EUMETSAT)”, thuhet në reagim.

Më tej, në reagim thonë se Tahirsylaj ka pasur mungesë vizioni përgjatë kohës së udhëheqësisë në IHMK, duke shtuar se e ka lënë këtë institut me, siç i referohet ai, teknologji primitive.

“ Numri i punëtorëve ne Institutin tonë dhe në institutet e rajonit: Kosova 13 punëtorë Mali i Zi 113 punëtorë, Maqedonia e Veriut 189 punëtorë, Kroacia 363 punëtorë dhe Serbia 530 punëtorë. Ja vizioni i një ish drejtori i cili e pat lënë IHMK me nje teknologji primitive, me tri stacione manuele dhe me një staf tejet simbolik”, thuhet në komunikatë.

Profesori i Meterologjisë, Sylë Tahirsylaj, kishte thënë se IHMK-ja nuk e paralajmëroi stuhinë e 6 qershorit sepse në ky Institut nuk ka asnjë meteorolog të diplomuar.

“Problemi qëndron në rrjetet e monitorimit të elementeve dhe dukurive meterologjike.  Në të kaluarën, IHMK-ja  i ka pasë dy qendra radarike – njërën në Dukagjin dhe tjetrën në rrethin e Prishtinës. Këto dy qendra i kanë përcjellë fenomenet që ndodhin në atmosferë – atëherë nuk e ka pasë sistemin e marrjeve të imazheve satelitore nga 17 satelitë që e përcjellin globin tokësor dhe përpjekjet e mia si drejtor i Institutit, për me ngrit sistemin radarik. Por, sipas rezolutës 1244 nuk na është lejuar që ne të kemi qasje në sistemin raketor, për shkak të aviacionit të NATO-s dhe ndërkombëtar”, ka thënë ai në Klan Kosova.

“Dhe kështu Instituti s’ka mund të japë mendimin profesional, për arsye se s’ka pasë sistem të mirëfilltë të përcjelljes së reve mbi territorin e Kosovës, por ka pasë mundësi që të shfrytëzojnë sistemin që organizatat botërore në 17 satelitë që i përcjellin, mi përcjell imazhet dhe në bazë të atyre imazheve ka mund të bëhet parashikimi i një situate të tillë. Ndryshimi i erës dhe ndryshimi i temperaturës në mënyrë të hovshme shkakton erën”, ka thënë Tahirsylaj./Shqip.com