Lajme

Nesër shënohet 24-vjetori i Masakrës së Reçakut

Kosova përkujton nesër 24-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë.

Kryeministria ka njoftuar se krerët shtetërorë do të vizitojnë Kompleksin Memorial të Reçakut në përkujtim të 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Siç ka bërë të ditur kryeministria, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, do realizojnë homazhet në Reçak.

Kurse pas homazheve do të mbahet një akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës, në qytetin e Shtimës.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

/Shqip.com