Lajme

Nënshkruhet Dokumenti i Partneritetit me BE, Rama nga Brukseli: Lidhja jonë është e pandashme! Kemi kaluar rrugë të gjatë…

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga momenti i nënshkrimit të Dokumentit të Partneritetit me Bashkimin Europian mes
Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu. 

“Është për ne një ditë e gjatë dhe e rëndësishme. Ne jemi zgjuar me një ndjesi të këndshme sepse kemi hapur një tjetër grup kapitujsh. Është moment shumë i mirë. Ndihemi të privilegjuar, kemi kaluar rrugë të gjatë. Kjo marrëveshje është e rëndësishme, lidhja jonë është e pandashme, duhet ta forcojmë çdo ditë e më shumë. Shpreh falenderimet e mia për BE, që po shtyjnë përpara agjendën e integrimit”, tha Rama.

Nënshkrimi i dokumentit vjen në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor që ka nisur sot në Bruksel, ku Shqipëria përfaqësohet nga një delegacion i nivelit të lartë i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.

Ky është samiti i parë i thirrur nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Dje u mbajt konferenca e tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE ku vendi hapi dhe grup-kapitullin 6 të negociatave.

/Shqip.com