“Në varrezën masive në Kizhevak ishin hedhur mbi një milion metra kub gurë”

Mbi trupat e personave që janë masakruar në Rezallë më 1999, janë hedhur mbi një milionë kubik gurë dhe mbeturina, thotë eksperti mjeko-ligjor Arsim Gërxhaliu.
Sipas tij, viktimat pas masakrimit janë dërguar në Kizhevak të Serbisë për t’u fshehur shumë thellë në tokë.
Pas më shumë se pesë vjetësh, familjarët e shtatë viktimave dhe dy mbetjeve të tjera mortore që janë ribashkimi i trupave të gjetur në Rudnicë janë kthyer në Kosovë.
Gërxhaliu për RTV Dukagjinin thotë se është punuar prej pesë viteve për të identifikuar këto mbetje mortore.

Pohon se dyshime ka pasur shumë se edhe në Kizhevak ka mbetje mortore por në fillim të gërmimeve nuk kanë hasur mbetje kockore.
“Meqë Kizhevaku është vend i minierës kishim dyshime se mund të ketë varrezë masive. Mbi atë pjesën ku janë varrosur [fshehur] viktimat janë hedhur mbi një milionë kubik gurë dhe mbeturina”, deklaron ai.
Shton se zbulimi i lokacionit të varrezës masive është bërë i mundur vetëm falë pamjeve satelitore që janë dhënë nga Amerika.
Ai thotë se një periudhë për shkak të dimrit janë ndërprerë kërkimet, por që viktimat janë gjetur pas rifillimit të gërmimeve në pranverë.
Ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu thekson se në Kizhevak janë kryer gërmimet.

“Është një pjesë mes Rashkës dhe Novi Pazarit që quhet Kozarevë. Atje kemi gërmuar tri herë por tash jemi detyruar të kërkojmë informacione satelitore nga Kryqi i Kuq pasi që dyshohet se edhe aty ka varrezë masive”.
Bën të ditur se edhe për një tjetër lokacion në Serbi ka dyshime që ka një varrezë masive.
“Edhe ajo është një minierë thëngjilli ky dyshohet për varrezë”.
Sipas tij, me palën serbe nuk është e lehtë të negociohet për varrezat masive./SHQIP.com