Kulturë

Në Prishtinë prezantohet Strategjia Shtetërore për Rininë e Kosovës

Në Prishtinë prezantohet Strategjia Shtetërore për Rininë e Kosovës
Në Prishtinë prezantohet Strategjia Shtetërore për Rininë e Kosovës

Në Prishtinë është prezantuar procesi hartues i Strategjisë Shtetërore për Rininë 2024-2032 dhe Plani i Veprimit për vitet 2024-2026.

Qëllimi i kësaj strategjie është vënia e rinisë në qendër të zhvillimit. Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku riktheksoi se, hartimi i këtij dokumenti do të tregojë shtegun drejt zhvillimit të qëndrueshëm për të gjithë të rinjtë. Ai bazohet në studimet e fundit dhe praktikat më të mira në dispozicion.

Procesi është prezantuar sot para krerëve institucionalë, partnerëve strategjikë, deputetëve, zëvendësministrave, shoqërisë civile dhe pjesëmarrësve nga sektori i rinisë.

Kryeministri Albin Kurti e vlerësoi atë si dokumentin kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë sepse është strategji që orienton drejt zhvillimit dhe është një mjet reforme për politikbërje ndërsektoriale.

“Koncept-dokumenti është artikuluar në mënyrë shumë konstruktive për tejkalimin e sfidave me të cilat përballen të rinjtë në vend”, shtoi Arnhild Spence, koordinatore e UNKT-së për Kosovë.

I tërë procesi është rezultat i Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, me mbështetje të UNKT, në veçanti UNDP, UNICEF, UNFPA dhe IOM.

/Shqip.com