Lajme

Në Prishtinë hapet ekspozita për 144 vjetorin e dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku në Serbi

Në Prishtinë është hapur një ekspozitë për 144 vjetorin e dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku në Serbi.

Siç raporton TCh, në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë janë ekspozuar 144 fotografi nga historia e popullit shqiptar gjatë viteve 1877-1878.

Kryetari i Shoqatës së Shqiptarëve të Muhaxhirë Mbarëkombëtarë, Asllan Qyqalla tregon për KosovaPress se për të arritur deri këtu kanë kaluar nëpër disa sfida, ku njëra ndër to ishte grumbullimi i fakteve.

“E drejta jonë është në bazë të kongresit të Berlinit të vitit 1878 në të cilën thuhet se kanë të drejtë kjo popullatë të kthehen në trojet e tyre por kanë të drejtë edhe në kompensimin e trojeve të tyre. Andaj ne kemi pasur shumë vështirësi, vështirësitë më të mëdha kanë qen rreth grumbullimit të fakteve”, tha Qyqalla.

Ai thotë se ata janë duke i kërkuar të drejtat e tyre.

“Ne jemi shoqatë nuk jemi institucion as nuk jemi asociacion, andaj ne si shoqatë e shqiptarëve muhaxhirëve mbarë kombëtar që i kemi  rreth 14 milionë muhaxhirë në gjitha trojet shqiptare dhe në të gjitha vendet shqiptare, kërkojmë të drejtën tonë”.

Sipas tij, fotoekspozita ka zgjuar kureshtjen e të huajve dhe diasporës, por siç thotë ai nuk e mori vëmendjen e duhur institucionale.

Tutje, ai bëri thirrje të hapjes së një zyre në institucionet qeveritare për ruajtjen e vlerave kombëtare të shqiptarëve të sanxhakut të Nishit./Shqip.com