Në Klinikën e Pulmologjisë rriten kërkesat e pacientëve për trajtim

Ndonëse Kosova ditëve të fundit ka shënuar rënie të rasteve pozitive me COVID-19, në Klinikën e Pulmologjisë është rritur numri i pacientëve që po kërkojnë trajtim.
Kështu ka deklaruar pulmologu i Klinikës së Pulmologjisë, Flamur Marku.
Marku ka thënë se pacientët e pavaksinuar kanë komplikime më të rënda, për dallim prej atyre që janë vaksinuar kundër COVID-19.

Pulmologu, Flamur Marku theksoi se pasojat më të mëdha nga Covidi te pacientët për një kohë të gjatë janë lodhja, rënia e oksigjenit dhe problemet në mushkëri.
“Me rënien e numrit të rasteve pozitive që deklarohen nga IKSHPK-ja ka një rritje të kërkesës së pacientëve me sëmundje të mushkërive të cilët vijnë për vizitë ambulatore. Po ashtu edhe nevojat për hospitalizim janë rritur si pasojë e pneumonive, kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve kronike të mushkërive. Hapësirat duhet të destinohen sipas nevojave në rast se ka numër të madh të pacientëve. Pacientët të cilët janë të vaksinuar përgjithësisht përqindja më e madhe e tyre e kanë kaluar në formën më të lehtë të mundshme Covidin. Nuk kanë pasur komplikime të rënda pulmonare”, u shpreh ai.
“Shumë më të rënda kanë qenë ata të cilët kanë qenë të pavaksinuar. Realisht problemet që lihen si pasojë e covidit janë ato pneumonia e rikthyeshme shumë më e lehtë pacientët infektohen apo ata që nuk janë trajtuar si duhet. Krijohen disa fibroza të rasteve të infeksionit të rënda dhe prapë të patrajtuara me kohë në mënyrë adekuate, lodhje rënie e oksigjenit, probleme në mushkëri. Momentalisht situata me pandeminë është më e qetë dhe shpresojmë të mos kemi valë të reja”, tha Marku.
Sipas tij, moshat më të atakuara me sëmundje kronike janë moshat më të shtyra, por që nuk bëjnë përjashtim rastet e reja kur janë të infektuara me tuberkuloz.
“Zakonisht janë moshat më të shtyra përjashtim në rastet e reja kur janë të infektuara me tuberkuloz në formën më të rëndë dhe pneumoni masive që i detyron moshat e rejat të cilat komplikohen edhe me infuzione plurale. Përgjithësisht rastet kronike janë moshat më të shtyra”, ka thënë Marku./Shqip.com