Në ditën e Kushtetutës, Abdixhiku rendit ministrat që sipas tij e shkelën atë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka renditur disa nga ministrat e Qeverisë Kurti si “shkelës të Kushtetutës”.
Sipas tij, ministrat që kanë shkelur Kushtetutën janë Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, dhe Hekuran Murati, ministër e Financave.
Sipas Abdixhikut, Haxhiu ka shkelur Kushtetutën në Ligjin për KPK-në, Nagavci në udhëzim administrativ, Sveçla në Ligjin për zyrtarët publikë, Hajdari në Ligjin për çmimet tavan dhe Murati në të hyrat e komunave.

“Në Ditën e Kushtetutës, le t’i kujtojmë shkelësit e saj. Ata të konfirmuar tashmë, e të tjerët në pritje. Do të thonë se janë shkelje të lehta këto; se Kushtetuta është shkelë dhe nga të tjerët më parë. Por a është ky ndryshimi për të cilin Kosova kishte e ka aq shumë nevojë? Që pushtetarët e paprekshëm, të qëndrojnë mbi ligj e mbi Kushtetutë?”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
/Shqip.com