Ndryshimet ligjore, ASHSH: 100 % i propozuar dhe mbështetur nga Asambleja e Akademisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë mbështet ndryshimet në ligjin për Akademinë e Shkencave të propozuara nga deputetët socialistë Petro Koçi dhe Ismet Beqiri.
Në një reagim në rrjetet sociale, Akademia thekson se projektligji i propozuar nga dy deputetët e mazhorancës nuk asnjë ndryshim nga ai fillestari që ka nisur të diskutohet në komisionet parlamentare.
“Skandal është mashtrimi i opinionit publik”, nis reagimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
“Projektligji aktual për Akademinë e Shkencave, nismë ligjore e dy deputetëve, Ismet Beqiri e Petro Koçi, është 100% ai i propozuar së pari e mbështetur nga Asambleja e Akademisë. Nuk ka asnjë cungim të projektligjit, është tërhequr vetëm një amendament shtesë nga vetë propozuesit për arsye proceduriale”, lexohet në njoftim.
“Përgënjeshtrim e sqarim i opinionit akademik e më gjerë:
Projektligjit për disa ndryshime në ligjin për Akademinë e Shkencave nuk i është ndryshuar asnjë germë referuar variantit të miratuar në Asamble, që është i njëjti me atë të kthyer në iniciativë parlamentare nga dy deputetë të nderuar, Ismet Beqiri e Petro Koçi, raporton ATSH.
Amendamenti i vetëm i tërhequr para disa ditësh është një propozim i ri, që ka të bëjë me bartjen e fondeve, propozim i cili nuk ka marrë mbështetjen me shkrim të Ministrisë së Financave dhe në këto rrethana nuk mund të shqyrtohet në Kuvend.
Këtë fakt disa duan ta përdorin për të bllokuar procedurën e miratimit të projektligjit dhe reformën e Akademisë së Shkencave. Dështimi kësaj taktike i detyron të gënjejnë opinionin publik dhe të sajojnë skandale të paqena. Ndërkohë, çdo qytetar e di se tërheqja e një amendamenti nga vetë propozuesi është e drejta e tij dhe ky veprim nuk ka pse të indinjojë kerkënd. Aq më tepër kur kjo bëhet për arsye proceduriale dhe për pengesa që nuk vijnë prej tij.
Me këtë rast, ne shprehim dhe një herë mbështetjen për këtë projektligj në emër të 52 antarëve firmëtarë të Asamblesë së Akademisë së Shkencave së Shqipërisë”, përfundon reagimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
/Shqip.com