Lajme

Ndërprerja e shërbimeve jo urgjente në QKUK për shkak të COVID’19 – shkelje e të drejtave të njeriut, kërkohet hetim

Ilustrim.

Pezullimi i shërbimeve jo urgjente në klinikat dhe Ambulancat Specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, po konsiderohet shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, transmeton Shqip.com.

Në të njëjtën kohë pacientët po përballen edhe me kosto të lartë pasi shërbimet e njëjta mjekësore, po detyrohen t’i marrin në spitalet private. Për këto veprime Shoqata e Pacientëve të Kosovës po kërkon hetim.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, thotë se vendimet të tilla po merren pa bazë ligjore dhe po përbëjnë shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ait thotë se këto reduktime të shërbimeve spitalore në QKUK do duhej të kishin një plan se ku do të mund të merreshin.

“Duhet me pas kujdes reduktime dhe kufizime të tilla të të drejtave dhe lirive të njeriut mund të bëhen vetëm nëse janë të përcaktuara me ligj. Në të kundërtën paraqesin shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut e padyshim dhe veprim jo të ligjshëm të organeve kompetente”.

“Duhet me iu dhënë mundësi alternative qytetarëve që kanë nevojë për shërim dhe trajtim spitalor e që nuk janë të infektuar m COVID. Në asnjë moment qytetari nuk duhet me e lënë pa asnjë mundësi në rast se nuk ofrohen shërbime specialistike të tilla mund të ofrojnë sektorët tjerë ose në forma të tjera por të mbuluara dhe koston e tyre duhet ta mbulojnë institucionet”, u shpreh ai, raporton KP.

Ndërsa, Shoqata e Pacientëve të Kosovës madje ka paralajmëruar edhe hetim për pezullimin e shërbimeve elektive.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, thotë se dëmi që po iu shkaktohet pacientëve duke i mbyllur këto shërbime është mjaft i madh, madje edhe po shtohen edhe listat e pritjeve.

Kodra thotë se pacientët që po u mohohen këto shërbime në institucionet publike dhe të cilat po duhet t’i marrin në ato private, nuk po kompensohen as nga Qeveria e Kosovës.

Kritika për këtë vendim të SHSKUK-së ka adresuar edhe anëtari i komisionit për Shëndetësi, Bekim Haxhiu i cili thotë se si pasojë e këtyre vendimeve pacientët po detyrohen të trajtohen në klinikat private duke rritur koston për trajtim.

Deputeti i PDK-së thotë se tashmë i gjithë sistemi shëndetësor është koncentruar vetëm në menaxhim të pandemisë dhe se për 20 muaj institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të krijojnë hapësira të veçanta vetëm për pacientët me koronavirus.

“I tërë sistemi shëndetësor është shndërruar në sistem COVID, pra për 20 muaj nuk ka pasur ndonjë përpjekje që të formohen ose hapen spitale montazh për të ofruar shërbimet COVID nuk ka qenë e domosdoshme të ndërpriten të gjitha shërbimet tjera në veçantë Ambulancat Specialistike sepse kanë mundur të funksionojnë me termine kjo e ka edhe një kosto tjetër për qytetarët e Kosovës sepse qoftë edhe për një vizitë specialistike detyrohen me shkua në spitalet private”, theksoi ai.

Për shkak të numrit të madh të pacientëve që kishin nevojë për hospitalizim pas infektimit me COVID-19, nga 31 gusht i këtij viti nuk po ofrojnë shërbime as Ambulancat Specialistike të cilat janë shndërruar në qendra për trajtim të pacientëve me Coronavirus. /Shqip.com