Ndalen kufizimet me energji elektrike, rikthehen në prodhim blloku B2 dhe A3

Situata me energji elektrike në Kosovë pritet të stabilizohet pas rikthimit të bllokut B2 dhe A3.
Përmes një njoftimi për media nga Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), thuhet se janë ndalur kufizimet me energji elektrike më hyrjen në prodhim të këtyre dy blloqeve.
“Stabilizohet situata e furnizimit me energji elektrike pas rikthimit të bllokut B2 dhe A3. Njoftojmë konsumatorët se janë ndalur kufizimet e energjisë elektrike me hyrjen në prodhim të bllokut B2 dhe A3, pasi që gjendja është stabilizuar për momentin”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Ndërsa, nga KEDS-i thonë se pavarësisht nga kjo, kursimi është i domosdoshëm.
“Pavarësisht kësaj, kursimi është i domosdoshëm! Prandaj, ftojmë konsumatorët t’i bashkohen thirrjes sonë për kursim të energjisë sepse çdo kilovat është i rëndësishëm të kursehet duke marrë parasysh krizën energjetike që ka kapluar gjithë botën”
Tutje, KEDS thotë se në këto rrethana të vështira, ajo se çfarë na duhet është të jemi të bashkuar për tejkalimin e krizës./Shqip.com