Kulturë Kino

Ndahet nga jeta aktorja e njohur Mimika Luca

Mimika Luca, aktorja e madhe e skenës shqiptare
Mimika Luca, aktorja e madhe e skenës shqiptare

Mimika Luca u lind më datë 24 dhjetor të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë së saj ka kaluar shumë vështirësi ku edhe përfundoi në strehën vorfnore.

Megjithatë arriti të ndiqte pasionin e saj për artin dhe sidomos atë për baletin. Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962 ku edhe spikati për talentin dhe për aftësitë e saj fizike.

Pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.

Në vitin 1962, Mimika u bë pjesë e trupës së Teatrit Popullor.

Gjatë karrierës së saj në teatër, Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 rrole ku ndër to do të veçonim Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”.

Mimika Luca interpretoj gjithashtu edhe në shumë filma artistik si “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Në shtëpinë tonë”, “Shoku ynë Tili” e shumë të tjerë.

Në vitin 1977 ajo u emërua edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktores së dashur Mimika Luca.

Margariti shprehet në një postim në rrjetet sociale se: “me një thjeshtësi natyrale e thellësi ka arritur të krijojë një galeri të pasur karakteresh. Brezat e rinj kanë shumë ç’të mësojnë nga trashëgimia që ajo ka lënë në kinematografinë shqiptare. U prehtë në paqe!”, shkruan atsh.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka shprehur ngushëllime familjes pas lajmit për ndarjen nga jeta të aktores Mimika Luca.

I trishtuar për ndarjen nga jeta të aktores Mimika Luca, ikonë e Teatrit Kombëtar dhe e kinematografisë shqiptare”, u shpreh Veliaj.

/Shqip.com