Ndahen çmimet e edicionit të gjashtë të PITF2022, Enver Petrovci rrëmben çmimin kryesor

Festivali i vetëm ndërkombëtar i teatrove në vend, Prishtina International Theater Festival ka ndarë çmimet e edicionit te gjashtë “Burbuqe Berisha” 2022.
Këtë vit çmimin kryesor të PITF 2022, çmimin për aktorin më të mirë në rolin kryesor e gëzoi aktori dhe regjisori i shfaqjes “Muslimani”, Enver Petrovci.
“Jam krenar me ju me të vërtetë shumë! Jeni ndër të paktit për mos me thënë të vetmit që kontribuoni në organizimin e një festivali kaq të kompletuar dhe që na bëni të ndjehemi si është më së miri sidomos neve artistëve, ju faleminderit të gjitha jurive për vlerësimin”, tha Petrovci.

Ndërkaq, Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi u shpreh e lumtur që ky edicion përfundoi me sukses, duke theksuar se ishte një garë e ngushtë për jurinë.
“Marrë parasysh faktin se shfaqjet ishin të gjitha të mira dhe pothuajse të të njëjtit nivel, për jurinë nuk ka qenë e lehtë të vendoset për çmimet por dua të falënderojë përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit që përfaqësuan shtetin e tyre dhe i uroj për çmimet e fituara”, u shpreh Alshiqi.

Edicioni i sivjetmë ka shënuar gjithsej gjashtë shfaqje nga vendi, rajoni dhe bota, shfaqje këto të gjitha në programin garues.
Ky edicion iu kushtua artistes së ndjerë “Burbuqe Berisha”, ku edhe para fillimit të ceremonisë, të pranishmit ndjekën dokumentarin në të cilin ishte duke punuar e ndjera mbi jetën dhe veprën e Besim Sahatçiut.
Kjo është lista e plotë e çmimeve këtë vit në “Prishtina International Theater Festival” (PITF 2022)
Çmimi “Best Play: Student Choice” – “Muslimani” – Kosova
Çmimi “Best Play: Media Choice” – “Muslimani” – Kosova
Çmimi “Best Supporting Actor” – Jelena Dukic “Iphigenia” – Mali i Zi
Çmimi “Best Director” – Fatos Berisha “The M Ëord” – Maqedonia e Veriut
Çmimi “Best Play” – “Iphigenia” – Mali i Zi
Çmimi kryesor i PITF 2022 “Best Actor” – Enver Petrovci “Muslimani” – Kosova