Miratohet kërkesa për ndarjen e 2.8 milionë eurove për RTK-në

Është miratuar kërkesa e Radio Televizionit të Kosovës për ndarjen e 2 milionë e 800 mijë eurove, kjo përfshinë periudhën tetor-dhjetor 2021.
Kërkesa u aprovua nga Komisioni Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, të mërkurën.
Ngadhnjim Kastrati, drejtor i përgjithshëm i mediumit publik e ka arsyetuar kërkesën për ndarjen e këtyre mjeteve financiare.
Kjo i bindi vetëm deputetët e pozitës. Por, Armend Muja – deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe drejtues i këtij komisioni, tha se dëshirojnë të gjejnë një zgjidhje për RTK-në.

Ndërsa, deputeti opozitar Avdullah Hoti theksoi se kërkesa e RTK-së nuk është legale, pasi s’ka bord.
“Nuk jam kundër ndarjes buxhetore për RTK-në, por kërkesa për ndarje buxhetore nuk është ligjore, pasi që kjo nuk po ndodhë nga Bordi i saj”, ka thënë Hoti.

Përndryshe, Radio Televizoni i Kosovës është në procesin e krijimit të bordit të ri.
Bordi i kaluar ishte kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ishte në opozitë si “i kapur nga pushteti”.
Ndërsa, shumë deputetë dhe figura të tjera publike vazhdimisht e kanë ngritur çështjen e RTK-së si problematike, për shkak të dyshimeve për “abuzim” me Televizionin Publik të Kosovës. /Shqip.com