Lajme Botë

NATO-ja blen municione në vlerë të 1.1 miliard €

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. Foto: Reuters
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. Foto: Reuters

NATO-ja ka nënshkruar kontratë në vlerë të 1.1 miliard eurove për municion artilerie 155 milimetrash, ka thënë të martën aleanca.

Një pjesë e tyre do të dërgohen në Ukrainë, pas ankesave të këtij vendi se mungesa e municioneve është duke i penguar përpjekjet për mbrojtje kundër pushtimit rus.

“Lufta në Ukrainë është bërë betejë municionesh”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg, pas ceremonisë së nënshkrimit të kontratës në selinë e aleancës në Bruksel.

NATO-ja e ka nënshkruar marrëveshjen në emër të shumë aleatëve që ose do t’i dërgojnë municionet në Ukrainë, ose do t’i ruajnë në magazinat e tyre ushtarake.

Blerja e muncioneve me shumicë u garanton atyre çmime më të ulëta.

Vendet e NATO-s pritet të pranojnë rreth 220.000 pjesë municionesh artilerie, dhe dërgesat e para pritet të lëshohen në fund të vitit 2025, ka thënë një zyrtar i NATO-s për agjencinë e lajmeve Reuters, raporton REL.

Ato do të prodhohen prej kompanisë franceze Nexet dhe asaj gjermane Junghans.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

/Shqip.com