Nagavci: Sivjet do ta kemi abetaren e përbashkët

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po merr pjesë në Konferencën dyditore për mësuesit e gjuhës amtare “Gjuha amtare, dygjuhësia dhe integrimi” në Malmö të Suedisë.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Sipas njoftimit kjo Konferencë ka për qëllim që të mbajë gjallë frymën edukuese të mësuesve të gjuhës amtare.
“Si temë diskutimi ishte zgjerimi i njohurive mbi mësimdhënien dhe relacionin mes nxënësit-prindit-mësuesit, si dhe mes gjuhës shqipe-suedeze dhe ndonjë gjuhe tjetër, ministrja Nagavci theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mësimin në gjuhën shqipe për fëmijët tanë, pa marrë parasysh ku ata rriten dhe veprojnë” thuhet në njoftimin e MASHT-it
Ministrja përmendi faktin se Suedia e ka të rregulluar mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diapsorë brenda sistemit suedez të arsimit, por tha se ka hapësirë për punë edhe nga mësuesit, edhe nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë për mbështetje.
Po ashtu është bërë e ditur se Nagavci përmendi faktin se tashmë kemi tekstin e parë “ Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, dedikuar fëmijëve të diasporës, ndërsa tha se sivjet do ta kemi edhe Abetaren e përbashkët.
Po punojmë në hartimin e teksteve mësimore për nivelet tjera të mësimit shqip në diasporë dhe synim i përbashkët duhet të jetë institucionalizimi i mësimit shqip në vendet ku jetojnë. Janë miratuar dhe botuar libra për nxënësit e diasporës, por janë organizuar edhe shkolla verore, seminare, festivale për fëmijë të diasporës, organizime kulturore, e të tjera” ka thënë Nagavci.
Ministrja Nagavci theksoi se si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke punuar për t’u dhënë më shumë rëndësi ideve dhe projekteve të mërgimtarëve./Shqip.com