Lajme

Nagavci: Kosova sot u trondit nga vrasja e mësueses

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar lidhur me vrasjen e një gruaje me sëpatë nga bashkëshorti i saj të premten, e cila thuhet se ishte mësimdhënëse në një shkollë në Prishtinë.

Nagavci tha se rastin e bën edhe më të rëndë fakti që ishte mësuese dhe do t’u mungojë përgjithmonë nxënësve të saj.

Më poshtë e gjeni të bashkëlidhur postimin e plotë të Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci:

Kosova sot u trondit nga lajmi për vrasjen e një gruaje nga bashkëshorti i saj në Prishtinë.

Ky lajm i rëndë, erdhi në kohën kur në shkollat e Kosovës, ora e parë e mësimit po i dedikohej parandalimit të dhunës ndaj gruas, si pjesë e Kampanjës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”.

Këtë rast, e bën edhe më të rëndë fakti se kjo grua që u vra sot ishte mësimdhënëse në një shkollë të kryeqytetit dhe do të mungojë sot e përgjithmonë te nxënësit e saj.

Vrasja e grave dhe vajzave është një nga temat më të dhimbshme të shoqërisë sonë. Prandaj, ne si institucione, bashkë me të gjithë akterët tjerë, të kujdesemi më shumë, që ngjarje të tilla të mos ndodhin.

Po ashtu, të punojmë sot që t’i edukojmë fëmijët tanë, vajzat e djemtë, se e ardhmja do të jetë e sigurt vetëm si të barabartë dhe pa dhunë.

/Shqip.com