Lajme

Nagavci: Kam poseduar “nato sprej”, nuk jam fajtore siç thuhet në shkresat e lëndës

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, ka thënë se ka poseduar sprejin me mbishkrimin “nato sprej” por që nuk është fajtore ashtu siç thuhet në shkresat e gjykatës.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, Nagavci në seancë gjyqësore ka deklaruar që nuk ka penguar asnjë person në kryerjen e detyrës zyrtare dhe nuk ka shkaktuar dëme materiale.

“Unë konsideroj ashtu siç e kam thënë në vazhdimësi, unë e kam pas në posedim sprejin me mbishkrimin “nato sprej” dhe se konsideroj se nuk jam fajtore ashtu siç vërehet edhe nga shkresat e lëndës sikurse edhe nga CD që i kam marrë”, tha Nagavci.

Ajo tha se veprimet e saj kanë qenë të natyrës politike, me qëllim të përmbushjes së obligimit si deputete, për mbrojtjen e interesit më të mirë të vendit.

“Sepse në ditën kur kam pas sprej ka qenë në shqyrtim marrëveshja për demarkacionin, në të cilën ne e kemi konsideruar të dëmshëm dhe ashtu u vërtetua edhe më vonë”, tha Nagavci.

Prokuroja Merrushe Llugiqi, deklaroi se kjo aktakuzë është komfor dispozitave ligjore dhe ka një cilësim juridik adekuat të bazuar në prova.

“Andaj, kërkojmë që lidhje me këtë çështje penale sa i përket veprimeve faktike që janë kryer të vazhdohet të procedohet dhe të refuzohet kërkesa”, tha Llugiqi.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nagavci po akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktakuza thotë se më 21 mars 2018, e pandehura Nagavci në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur në posedim sprejin me ngjyrë të gjelbër, me pjesë spërkatëse të zezë me mbishkrimin “NATO American Style”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se deri sa gjatë mbajtës se seancave në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku ka pasur hedhje të gazit lotsjellës nga disa deputetë, policia për të parandaluar hedhjen e serishme të gazit ka kontrolluar në mënyrë fizike nëpër trup gjithë deputetët.

Gjatë kontrollimit që ju është bërë Nagavcit, akti akuzues thotë se asaj i është gjetur dhe sekuestruar spreji i lartcekur./Shqip.com

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull cilësohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.