Lajme

Myftiu Tërnava uron festën e Fitër Bajramit: Lusim Zotin që kudo në botë të mos ketë trazira

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në prag të festës së Fitër Bajramit, i ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, ku ka thënë se kjo festë ka në thelb solidaritetin.

Myftiu Tërnava, përmes një konference për media bëri thirrje për paqe në mbarë botën, ku tha se në shumë vende të botës ka konflikte, prej të cilave po pësojnë qytetarët e pafajshëm.

“Edhe në këtë natë të madhe në prag të Fitër Bajramit lusim Zotin që kudo në botë të mos ketë trazira, të mbretërojë paqja, siguria dhe mirëqenia për të gjithë”, tha Tërnava.

Myftiu Tërnava tha se në të Festës së Bajramit kërkohet që vlerësohet misioni që njeriu ka në këtë botë.

“Në kohët që po jetojmë njerëzimi si duket ka harruar vlerat shpirtërore, duke e bërë kështu shoqërinë më materialiste, realitet ky që ka sjell konflikte, gjakderdhje, dëbime e shkatërrime në tokë”, tha Tërnava.

Ai gjithashtu ka thënë se ky ishte Ramazani i parë në dy vjetët e fundit, që besimtarët e shënuan pa masa kufizuese për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Dashtë Zoti që të mos përballemi më me masa kufizuese të cilat qenë të domosdoshme, por krijuan një lloj distance ndërmjet nesh”, tha ai.

Festa e Fitër Bajramit festohet në ditën e parë pas përfundimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit, ku besimtarët myslimanë agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit./Shqip.com