Lajme

Murati publikon listën e 10 komunave me më së shumti borxhe, prin Gjilani me 10 milionë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është deklaruar rreth borxhit të komunave, sipas prerjes në fund të muajit gusht, njofton Shqip.com.

Sipas grafikës së bërë publike nga Murati, Gjilani është komuna me më së shumti obligime të papaguara.

“Nisur nga interesimi i shtuar i mediave dhe publikut për borxhet e komunave, në vijim gjeni grafikonin që paraqet 10 komunat që kanë më së shumti obligime të papaguara (sipas prerjes në fund të muajit gusht)”, shkruan Murati.

Lista e komunave me më së shumti borxhe

Komuna e Gjilanit, si prijës i kësaj liste, i ka 10 milionë euro borxh, bazuar në grafikonin ku paraqiten 10 komunat me më së shumti borxhe.

Pas komunës së Gjilanit, ajo e Ferizajt renditet e dyta me mbi katër milionë euro borxhe – më pak se gjysma e komunës së Gjilanit.

Vendin e tretë në këtë listë e zë Mitrovica me mbi dy milionë euro obligime të papaguara deri në fund të muajit gusht.

Kjo listë është e përbërë edhe nga komuna e Rahovecit, e Prishtinës, Malishevës, Pejës, Vushtrrisë, Gjakovës, e Skenderajt, komuna këto që kanë borxhe nën shumën një milion euro.

Kjo listë është publikuar vetëm një ditë pasi ministri Murati gjatë prezentimit të planprogramit të Agim Bahtirit – kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, nisi ta arsyetojë këtë të fundit për borxhin e komunës.

Ministri i Financave tha se dy milionë nuk janë asgjë, sepse ai vetë kishte gjetur 200 milionë borxh në ministrinë që udhëheq. /Shqip.com