Murati krahason pakon e ringjalljes ekonomike të Kosovës me atë të Gjermanisë

Ministri i Ministrisë së Financave, Punëve dhe Transferëve, Hekuran Murati ka thënë se pakoja e masave për përballje ekonomike, e prezantuar dje nga ai dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përkthehet në rreth 2 për qind të GDP-së.
Përmes një postimi në Facebook, Murati ka thënë se në këtë shifër nuk janë llogaritur masat paraprake.
“Bashkë me Kryeministrin Kurti dje prezantuam pakon e re të masave për përballje me inflacionin, në kuadër të vazhdimësisë së Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Pakoja kap vlerën prej 150 milionë euro, që përkthehet në rreth 2% të GDP, pa llogaritur pakon e muajit prill, apo masat paraprake”, shkroi Murati.
Tutje, Murati bëri një krahasim me pakon që Qeveria e Gjermanisë ka prezantuar si masa në vlerë të 65 miliardë euro.

Sipas ministrit Murati, ka edhe shumë masa tjera që janë ndërmarrë për përballjen me inflacionin, siç janë vendosja e çmimit tavan për naftën, subvencionimi i energjisë elektrike, mbështetja e bizneseve prodhuese në investime, rritja e subvencioneve në bujqësi etj./Shqip.com