MPB kërkon nga qytetarët t’i shmangin pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë

Ministria e Punëve të Brendshme, ka kërkuar nga qytetarët që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare me Serbinë e t’i shmangin ato në Bërnjak dhe Jarinjë.
Kjo për shkak zhvillimeve të fundit që lidhen me zbatueshmërinë e reciprocitetit në targa.
“Me qëllim të mundësimit të qarkullimit të lëvizjes së lirë, njoftohen qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, që mundësisht të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme”, thuhet në njoftim.
MPB-ja tregoi se Policia e Kosovës është duke u kujdesur për ruajtjen e rendit.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi është kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në nivel vendi”, vazhdon njoftimi.
Të hënën në mëngjese, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në pikat kufitare në Bënjak dhe Jarinjë.
Për këtë situatë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar nga Prishtina që t’i largojnë forcat e të ulën për të biseduar në lidhje me zhvillimet.
“Zgjidhja e vetme është tërheqja e të gjitha trupave nga veriu i Kosovës, të kthehemi në situatën e mëhershme, e më pas mund të shkojmë e të bisedojmë”, tha ai.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ai u shpreh se ka marrë një propozim nga shtetet e fuqishme të botës, por që e ka refuzuar sepse sipas tij “është poshtërim për Serbinë”.
“Serbia është gjithmonë e gatshme të pranojë dialogun, por nuk do të pajtohet për veprime të njëanshme dhe në biseda me shtetet e forta të botës kam marrë një propozim se si do të mund të ishte një zgjidhje kompromisi, dhe e kam refuzuar sepse nuk është një kompromis, por poshtërim për Serbinë”, ka thënë ai në konferencën për media. /Shqip.com