Skijatori përplaset me një motor-sajë në Brezovicë, autoambulanca nuk mbërrin në vendin e ngjarjes

Një aksident ka ndodhur në qendrën e skijimit në Brezovicë ku për pasojë ka mbetur i lënduar një person.
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka njoftuar se në Brezovicë është lënduar një skijator pasi i njëjti është përplasur me një motor-sajë.
“Skijatori ka goditur motor-sajën që ka qenë duke lëvizur brenda shtigjeve të skijimit, dhe si rezultat është lënduar në disa pjesë të trupit”, thuhet në njoftim.

Më tej theksojnë se viktimës i është ofruar ndihmë nga anëtarët e Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.
Ndërsa, theksojnë se për shkak të bllokimit të rrugës nga parkimi i automjeteve, nuk ka qenë e mundur të arrijë autoambulanca në vendin e ngjarjes.

“Në kordinim me policinë e Kosovës anëtarët tanë në krye me Bardhosh Morina, dhe Eduard Daci, të ndihmuar nga qytetarët lokal realizojnë edhe evakuimin e viktimës drejt qendrës spitalore në Ferizaj”, thuhet më tej në njoftim.
Pas ekzaminimeve mjëkësore gjendja e të aksidentuarit është stabile dhe vazhdon të jetë nën mbikëqyrje mjekësore./Shqip.com