“Mosdakordësia e Kosovës për Ballkanin e Hapur ka marrë një peshë të pamerituar”

“Nuk është sekret se në Qeverinë e Kosovës gjërat nuk shkojnë vaj dhe mosdakordësia për Ballkanin e Hapur ka marrë një peshë të pamerituar në këtë mes”.
Kështu ka deklaruar kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, është shprehur se Shqipëria duhet të synojë një cilësi të re në marrëdhëniet parlamentare me Kuvendin e Kosovës dhe se duhet të jetë më e pranishme në Prishtinë.
Këto deklarata Rama i ka bërë të premten, gjatë një takimi me deputetë të rinj në Pallatin e Brigadave.
“Kosova është pjesë e pandashme e jona dhe e së ardhmes sonë të përbashkët. Ne do punojmë që të kemi marrëdhënie sa më vëllazërore, duke u fokusuar në gjithë atë punë dhe drejtime që nuk ka sesi të mos na bashkojnë dhe duke trajtuar me durim mosdakordësinë për Ballkanin e Hapur”.
Më tej, ai ka thënë se Ballkani i Hapur është një zgjidhje e qartë, e drejtë, kuptimplotë për të ardhmen e vendit, “pasi mund të përfitosh nga një hapësirë shumë më e madhe ndërveprimesh në të gjitha nivelet”.
“Do të punojmë në çdo sektor për t’i dhënë mundësi të gjithë aktorëve të ekonomisë sonë, që vit pas viti të kenë hapësira shumë më të mëdha dhe pastaj jam i bindur që do kemi rezultate që do flasin vetë pse Ballkani i Hapur nga bën më të fortë si Shqipëri dhe si faktor qoftë në rajon dhe Evropë”./SHQIP.com