Lajme

MOSBINDJE CIVILE/ Opozita “luftë” në Kuvend me 24 deputetë më pak, protestë edhe te Bashkia e Tiranës

Opozita pritet të shfaqet agresive këtë të enjte teksa do vijojë aksionin e saj politik, si në Kuvend ashtu edhe në shesh.

Kjo pasi seanca e sotme plenare pritet të jetë e ashpër dhe e tensionuar, pasi opozita do të paraqitet me 24 deputetë më pak, për shkak të përjashtimit të tyre pas trazirave që shkaktuar dy javë më parë me djegien e karrigeve në shkallët e godinës së Kuvendit të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, protesta e saj për vjedhjet e qytetarëve të Tiranës nga drejtorët e Bashkisë së kryeqytetit përmes kompanisë famëkeqe “5D Konstruksion” do të vijojë paraditen e sotme në sheshin para institucionit të drejtuar nga Erjon Veliajt.

Këtë të fundit opozita e akuzon si kryehajdutin e grupit të struktura kriminal që operon në Bashkinë e Tiranës, dhe i cili sipas saj ka organizuar dhe drejtuar vjedhjen e qindra miliona eurove si me incineratorit fantazim që nuk ekziston në Tiranë, ashtu dhe me të besuarit e tij në Kompaninë “5D”.

Garda ka marrë masat e nevojshme në mënyrë që të shmangë përshkallëzimet, pasi opozita e ka bërë të qartë se mosbindja do të vijojë, çka referuar seancave të mëparshme, ka rezultuar në përplasje me anëtarët e gardës dhe konflikt me deputetët e mazhorancës.

RENDI I DITES

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare.

Në rend të ditës është interpelanca me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputeti Agron Shehaj, ne lidhje me monitorimin e ngarkesave me lënde helmuese që transportohen nga Shqipëria.

Më pas Kuvendi do të shqyrtojë raportin për veprimtarinë vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2023.

Në rend të ditës është edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 465, date 29.9.2011, Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit” i ndryshuar.

Më pas Kuvendi do të shqyrtojë projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarit së Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, i ndryshuar, raundi i tretë.

Si dhe projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët përfaqësuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i tretë.

Në rend të ditës është edhe projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e kryetarit të Bordit”.

/Shqip.com