Monedha dy eurosh, problematike në Kosovë

Monedha dy eurosh, vazhdon të bëhet problematike në Kosovë, tash e disa muaj, mbase edhe vite. Kjo monedhë është e pranuar zyrtarisht në të gjitha shtetet e Eurozonës (20 shtete tashmë ka Eurozona) dhe në Kosovë, e cila për shkaqe të ditura nuk është anëtare e Eurozonës, por e ka valutë zyrtare euron.
Dhe, pikërisht kjo monedhë, me të drejtë dhe pa të drejtë, në shumë raste po dyshohet për falsifikim dhe si e tillë po refuzohet së pranuari nga shumë subjekte tregtare dhe shërbyese, në shumë transaksione tregtare, sidomos në shitjen me pakicë në Kosovë, por edhe në kryerjen e shumë shërbimeve, por edhe nga qytetarë kosovarë, të ndikuar më shumë nga disa deklarata publike të përfaqësuesve të ndërmarrjeve publike shërbyese që ndodhën kohët e fundit, shkruan Buletini Ekonomik.
Në mungesë të një sqarimi më të detajuar nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës, por edhe të policisë, rreth monedhës, e bërë tashmë realisht problematike në vendin tonë, është krijuar një amulli e vërtetë në tregun kosovar rreth përdorimit, më saktësisht pranimit të monedhës 2 euro.
Tani, në bazë të rasteve të panumërta të refuzimit të monedhës 2 euro, fitohet përshtypja se kushdo dhe kujt t’i teket mund ta refuzojë së pranuari këtë monedhë, ta shpallë atë false, pa ndonjë verifikim paraprak dhe të vë në “siklet” jo të vogël poseduesin e kësaj monedhe.
/Shqip.com