Molliqaj paralajmëron protesta ndaj Qeverisë Kurti

Kreu i Partisë Social Demokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj ka paralajmëruar që së shpejti do të organizojnë protesta kundër Qeverisë Kurti.
“Besoj se nuk ka rrugë tjetër përveç angazhimit dhe protestave qytetare, për shkak se Kurti nuk ka komunikim me shtresat shoqërore. Ju e keni parë që nuk flet me grevistët, pra është i pa komunikueshëm me ata të cilët kanë shqetësime ose me ata që i prek vendimet e tyre” ka thënë Molliqaj.
Më tutje Molliqaj është shprehur se pas marrëveshjes me Serbinë për letërnjoftimet, Kurti po institucionalizon statusin e veçantë të komunave veriore të Kosovës.
“Nuk mund ta pranosh kornizën e dialogut e mos ta pranosh rezultatin e dialogut, kështu që Kurti ka hyrë në një proces i cili do të rezultojë me krijimin e entitetit territorial e politik të serbëve të Kosovës të dirigjuar nga Beogradi, e të cilën ai mund të tentojë ta paketojë si ndryshim e si reciprocitet por asnjëra prej tyre nuk është, kështu që kemi hyrë në një proces të dialogut e cila rruga është e gabuar, e që sigurisht rezultati do jetë edhe më i gabuar”, është shprehur Molliqaj.
Kreu i PSD-së më tutje ka thënë se procesi i dialogut që po zhvillohet në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të sjellë njohjen midis dy vendeve.
“Me këtë mendësi që Kurti ka për shtetin dhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë nuk është në horizont ajo, pra nuk ka lidhje me marrëveshje përfundimtare, ky proces ka lidhje me kompromise të reja ndaj Serbisë të cilat mund ta normalizojnë mosnjohjen mes dy vende e që të funksionojnë si mosnjohëse por jo si dy shtete që janë të pavarura dhe që e njohin njëra-tjetrën”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj ka shtuar po ashtu se kryeministri Kurti vepron vetëm atëherë kur ka presion publik./Shqip.com