Molliqaj: Kosova s’ka shans të anëtarësohet në NATO

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Kosova s’ka shansa të anëtarësohet në NATO, pasi pesë vendet anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën.
“Sepse pa na njoftë pesë shtetet anëtare të BE-së, ne nuk kemi asnjë shans me bë asnjë veprim drejt NATO-s. Mund të bësh kërkesa çdo ditë, por unë besoj që rruga do të duhej të ishte krejt tjetër”, tha Molliqaj.
Molliqaj duke folur për televizionin Teve1 ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për një konflikt me shtetin serb, por që duhet arritur një marrëveshje paqësore.
‘’Kosova do të duhej të gëzohej që Serbia megjithatë ka bërë hapa drejt perëndimit, nuk na duhet luftë as konflikt na duhet marrëveshje e paqes me Serbinë. Ne na duhet marrëveshje paqe me Serbinë. Nuk mund ta detyrojmë Serbinë, por duhet që të punojmë me faktorin ndërkombëtar siç e tha edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që duhet të dyfishojmë përpjekjet për marrëveshje të paqes. Në vend se të ndjekim këtë rrugë, këtu kishte thua që lufta duhet të fillojë’’, shtoi ai./teve1/.