Lajme

Molliqaj: Inflacioni që Kurti i ka shkaktuar fjalorit politik do të jetë me pasoja

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj

“I rëndë dhe me pasoja do të jetë inflacioni që Albin Kurti i ka shkaktuar fjalorit politik”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, duke iu referuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Siç ka thënë Molliqaj, instrumentalizim e degradim i rëndë është përdorimi i veglave si metaforë për frymëzim politik.

“A nuk ishte rrënqethëse të dëgjosh thirrjet për besnikëri teksa përkrahej Mimoza Kusari. Instrumentalizim e degradim i rëndë është edhe përdorimi i veglave si metaforë për frymëzim politik. Motorët e turbinat mund të tregojnë shpejtësi e efikasitet, por jo mendje e shpirt”.

“Siç duket ka një mosmarrëveshje mbi leximin e rezultateve të 14 shkurtit. Qytetarët nuk kanë votuar për ta zëvendësuar njerëzit duke vazhduar padrejtësitë. Ata janë hapa larg edhe nga shumë analiza të studiove televizive. Gabimet e pushtetit aktual nuk do të mund të arsyetohen nga analogjia me gabimet e pushtetin të kaluar. Politika bëhet tash dhe këtu!”, ka shkruar ai, pas publikimit të rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Molliqaj: Kurti sot u dorëzua, pranoi Serbinë si hisedare në Kosovë -  SHQIP.com
Dardan Molliqaj dhe Albin Kurti

Më tej, ka thënë se është dallim i madh mes këtyre zgjedhje atyre të 14 shkurtit, kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50% të votave.

Sipas tij, ky ndryshim është bërë për shkak të “mungesës së kuadrove”.

“Nëse pushteti i “referendumit” nuk paska kuadro, kjo nuk flet mirë për të as në nivelin qendror. Mbi të gjitha, kjo vetëm rastësi nuk mund të jetë. Pushteti “Krejt dhe Drejt!” është i reduktuar dhe i mbyllur tek një emër. Duke qenë kështu, ky është rezultati më i logjikshëm i bazës ideologjike e organizative të VV-së”.

Ndaj, qoftë suksesi, qoftë dështimi, sipas Molliqajt, i atribuohen një emri të përveçëm.

“VV nuk njeh nocione si shumësia apo autonomia. Njeh rreshtin e bindjes, pavarësisht ideologjisë. Nga Mimoza Kusari tek Agim Bahtiri, rëndësi ka vija e rreshtit dhe mundësia për sukses”./SHQIP.com