Lajme

Molliqaj e konfirmon pjesëmarrjen në protestën e veteranëve të UÇK-së: Bashkë me ata që shteti i braktisi

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në protestën e organizuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Molliqaj përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se nesër do t’i bashkohet protestës së veteranëve të UÇK-së, që sipas tij shteti i ka braktisur.

“Bashkë me ata që na e sollën lirinë e përpjekjen e të cilëve qeveria po e dënon. Bashkë me ata, të vetmit që shteti nuk i ndihmoi fare gjatë krizave t’kësaj kohe”, ka shkruar Molliqaj.

Ai gjithashtu i është drejtuar Kryeministrit, Albin Kurti duke i thënë veteran i rrejshëm.

“Dha para me miliona për biznese të mëdha, kurse veteranët don t’i lë edhe nën pagën minimale. Sepse nuk i do. Sepse kurrë s’e deshti luftën e tyre. Prandaj i sulmoi vazhdimisht. Ani pse vetë është veteran i rrejshëm”, ka shkruar Molliqaj.

Kryetari i PSD-së ka thënë se sesër do të jetë në shesh, bashkë me ata që jetën e tyre e lanë peng për lirinë tonë.

“Dhe do të jemi bashkë me ta, përherë. Sepse lufta e tyre është projekti i lirisë, i barazisë e i progresit”, ka shkruar ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nesër do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës.

Kjo u bë e ditur në një postim në Facebook nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, i cili tha se protesta fillon nga ora 10:00.

Lexo edhe:
Veteranët nesër do të protestojnë para Kuvendit

Ai tha se kjo protestë do të mbahet për shkak të “diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjarëve të dëshmorëve”./Shqip.com