OP-ED Kolumne

Mjekët që paguanin ilaçet e pensionistit!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Përgjatë 5 muajve kur vëllau im i vogël, Ardoniti, flinte në gjendjen komatike (lëngonte nuk kam fuqi të them), si familjarë që e kishim të caktuar orarin e vizitave, qoftë edhe pavullnetshëm bëheshim dëshmitarë edhe të fateve të tjera njerëzore.

Radha ynë gjithnjë ishte pas një pacienti që nuk vinte askush ta vizitonte. Javën e parë, të zhytur në hallin tonë, ky fakt nuk na bëri përshtypje. Për më tepër, lehtësoheshim kur e dinim se radha e pritjes shkurtohet në mungesë të familjarëve të tij.

Por, me kalimin e kohës ajo mungesë vendosi të bëhej më e dukshme. Gjithnjë, në renditje emri i këtij personi ishte para vëllait tim. Bashkë me familjarët e mi nisëm ta diskutojmë se kush mund të jetë ky njeri për të cilin nuk vinte askush.

Vendosëm që të pyesim ngaqë e dinim se gjithsecili nga ne do të duhej të blinte terapinë që nuk ndodhej në spital.

Mjekët e shmangën pyetjen me mirësjellje duke thënë se familjarët e tij vinin më vonë! Kaq mjaftoi që të ngjallen dyshimet e mia. Rregullat ishin strikte, jashtë orarit të vizitave nuk mund të hynte askush. Në një ditë tjetër, derisa prisnim radhën tonë, unë hyra ende pa u thirrë emri i pacientit që ishte para radhës tonë.

Mjekja kujdestare po ia jepte paratë e saj për terapi një familjari me lutjen që të blinte edhe disa ilaçe shtesë për pacientin që nuk vinte askush. Në ato momente shtangëm të dytë, ajo si e zënë në faj, ndërsa unë i hidhëruar me kureshtjen time!

Pas këtij momenti pak do të më duhej të kuptoja se pacienti për të cilin nuk vinte askush ishte pensionist, ndërsa mjekët me paratë e tyre blinin terapinë.

Një ditë emri i tij nuk u thirr më. Ky ishte sinjal se ose pacienti ishte liruar, ose… Nuk pata guxim të pyes. Shikoja listën në duart e rojtarit. Ai e kuptoi kureshtjen time dhe në heshtje ma konfirmoi se tashmë shteti kishte një pensionist më pak për t’u brengosur!

Kosova, megjithëse ka numrin më të ulët të përdoruesve të pensioneve, po ashtu me një pension bazë prej 100 euro është vendi me pensione më të ulëta në rajon.

Në Shqipëri pensioni mesatar është 128 euro, ndonëse është vendi me numrin më të lartë të pensionistëve, 674 mijë. Në Kosovë, janë rreth 121 mijë qytetarë të moshës mbi 65 vjeç në listat për pensionet bazike.

Në Maqedoninë e Veriut, pensioni mesatar është 258 euro, ndërsa ai minimal 170 euro. Ndonëse janë thuajse trefish më shumë përdorues të pensioneve sesa në Kosovë, 325 mijë e 156 pensionistë.

Nëse pensionet në Kosovë do të rriteshin për 100 euro, buxheti i vendit do të ngarkohej me 12 milionë euro më shumë në vit, shumë kjo që është më e vogël sesa mëditjet e deputetëve të heshtur të cilët për një mëditje për pjesëmarrje në seancë, paguhen më shumë sesa pensioni minimal në Kosovë.


Nëse subvencionimi i Qeverisë do të ishte 50 euro, shifra me të cilën do të ngarkohej buxheti i Kosovës për personat mbi moshën 65 vjeç do të ishte jo më shumë sesa 6 milionë euro në muaj, apo 72 milionë euro në vit.

Në fushatën “Dinjitet për pensionistët”, dy kërkesa janë thelbësore: eliminimi i procedurës burokratike që ata të paraqiten çdo 6 muaj në qendrat sociale – pavarësisht gjendjes së tyre fizike, për të dëshmuar se janë gjallë. Si dhe, subvencionimi për këtë kategori që do të ndikonte direkt në ekonominë familjare.

Në këtë krizë të inflacionit të gjitha kategoritë kanë nevojë për mbështetje. Por, egoizmi do të duhej të zëvendësohej me solidaritet, veçanërisht për ata që kanë më së shumti nevojë.

Njëjtë siç vepronin stafi mjekësor me pacientin pensionist që nuk kishte asnjë njeri për t’u përkujdesur. Kjo botë do të vazhdoj të jetë për aq kohë sa do të ekzistojë njerëzorja, dhembja për të pafuqishmit dhe solidariteti për ata që kanë nevojë.

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com