Lajme

Mishetiq-dëshmitarit: Në deklaratën e dhënë në polici me 1999 nuk keni thënë që keni parë emblemë të UÇK-së tek personat që të rrëmbyen

Gjatë marrjes në pyetje nga mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Luka Mishetiq e ka pyetur dëshmitarin lidhur me një deklaratë që ky i fundit e ka dhënë në polici në vitin 1999 pas rrëmbimit për të cilin pretendon.

Mishetiq i ka thënë dëshmitarit se në këtë deklaratë nuk ka përmendur se ka parë emblemë të UÇK-së në uniformat e personave që e kanë ndalur.

“Po deklarata që i keni dhënë policisë, në deklaratë nuk thuhet që personat që kishin veshur uniforma me lara kishin emblemë të UÇK-së në uniformë. Pse kjo nuk thuhet në deklaratën tuaj të 1999. Keni nënshkruar një deklaratë që nuk përmend asnjë simbol ose emblemë identifikuese të UÇK-së, kështu?”, pyeti avokati Luka Mishetiq.

Dëshmitari tha se nuk e ka vlerësuar të rëndësishme këtë deklaratë në atë kohë.

“Nuk e kam vlerësuar si të rëndësishme këtë deklaratë në atë kohë”, tha dëshmitari.

Mishetiq pyeti dëshmitarin a ka pasur mundësi që fakti se ka parë emblemë nuk është thënë nga dëshmitar gjatë marrjes së dëshmisë apo ka mundur të ndodhë e kundërta që kjo hollësi të mos mbahet si shënim.

“Dëshmia juaj është që i keni thënë policisë që ka pas emblemë UÇK-ja, por fakti është që kjo si hollësi nuk përmbahet ose nuk përfshihet në deklaratën tuaj i takon që nuk ia keni thënë policisë, apo e kundërta që ju ja keni thënë por ata nuk e kanë vënë si shënim”, tha Mishetiq.

Ndërsa, dëshmitari insistoi se e ka thënë dhe nëse nuk është përfshirë kjo pjesë në deklaratë nga policia nuk e di.

“Unë thash që ata e kishin emblemën identifikuese, në qoftë se e ka përfshi policia a po jo në deklaratën që kam dhënë unë, këtë nuk e di”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se nuk ishte e zakonshme që në territoret ku kontrollonte Qeveria të shihje njerëz me emblema të UÇK-së.

“Nuk ishte e zakonshme. Deri në atë moment unë nuk kisha parë. Deri në momentin që me rrëmbyen, vetëm në televizion i kam parë”, tha ai.

Mishetiq u ndal edhe tek rrëmbimi i Velko Markoviqit që sipas dëshmitarit vepër kjo e kryer nga UÇK-ja.

“Siç keni dëshmuar para trupit gjykues ju keni thënë se Zoti Markovic është marrë se pari në Fushë Kosovë dhe nga aty u e keni parë në Maxhunaj. A e ke thënë këtë gjë apo jo?”, tha Mishetiq.

Ndërsa, Ivanisheviq tha se nuk ka thënë që Markoviqi është rrëmbyer në Fushë Kosovë.

“Nuk e thash se Markovicin e kanë rrëmbyer në Fushë-Kosovë. Unë e kam parë ata kur me rrëmbyen mu vet, e pashë në makinë, afër Novoselës, nuk e kam parë se ku ka qenë ai ku e kanë ndaluar”, tha dëshmitari, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, mbrojtja e Thaçit, përmes avokatit Luka Misteic ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin Dragan Ivanisheviq.

Ndërsa, pyetjet për dëshmitarin i ka filluar mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit, Victor Baiesu.

/Shqip.com