Miratohet rregullorja e re e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë ditës së sotme kanë votuar për miratimin e rregullores së re të Kuvendit të Kosovës.
Kjo rregullore do të përmbajë 47 amendamente. Për këtë projekt-rregullore votuan 81 deputetë për, kurse nuk pati asnjë kundër apo abstenim.
Këtë rregullore para deputetëve e ka prezantuar kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.
Rrustemi tha se pas shqyrtimit të parë janë munduar t’i adresojnë të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet dhe tani sipas tij amendamentet i kanë sjellë për shqyrtim e miratim
“Përcakton procedurat për seancën konstituive të Kuvendit në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 duke sqaruar procedurat e kryesimit të seancës konstituive, nominimin dhe zgjedhjen e kryetarit, përcakton mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve, përcakton procedurën e nominimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, sqaron momentin e konstituimit të Kuvendit me zgjedhjen e kryetarit edhe nënkryetarëve”, tha ai.
Sipas tij, rregullorja përcakton edhe çështjen e betimit të deputetëve./Shqip.com