Lajme

“Miqësia Rama-Erdogan mund të sjellë Dritan Rexhepin në Shqipëri”

Marrëdhënia e mirë që ekziston mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, mund të ndikojë që Turqia të preferojë që Dritan Rexhepin ta ekstradojë drejt Shqipërisë.

Është kjo deklarata që vjen nga gazetari shqiptar që jeton e punon në Turqi, Sokol Brahaj. Ai thotë se Rexhepi edhe nëse qëndron në Turqi mund të dënohet 3 – 5 vite burg për dokumenta të falsifikuara.

“Marrëdhënia e mirë mes Erdogan dhe Ramës, mund të bëjë që i shumëkërkuari nga shumë vende të Botës, që njihet si “Jul Çezari” i drogës Dritan Rexhepi ka më shumë shanse të ekstradohet drejt Shqipërisë, se sa në vendet e tjera.

Në Turqi rrezikon 3-5 vjet burg për dokumenta të paligjshme”, u shpreh ndër të tjera gazetari Sokol Brahaj.

Shqiptari me i kërkuar në botë, Dritan (Gramos) Rexhepi, i arratisur nga burgjet e tri shteteve është cilësuar si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Ai akuzohet në Shqipëri për vrasjen e dy policëve. Emri i tij lidhet edhe me rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz në janar të 2020, pasi vëllai i tij Astrit Prenga dyshohet se vodhi një sasi të konsiderueshme kokaine në Angli që vinte nga Amerika Latine, dhe që i përkiste pikërisht Dritan Rexhepit.

Kush është Dritan Rexhepi i njohur si “mbreti i drogës”
I arratisur katër herë nga burgjet, me disa dënime të rënda dhe identitete të rreme, i akuzuar për vrasje policësh, rrëmbimin e Jan Prengës me urdhër nga burgu e trafik ndërkombëtar droge, ky është Dritan Rexhepi, 43 vjeç. Ka lindur 10 prill 1980 në fshatin Velçë të Vlorës, dhe ka përdorur edhe emrat Lulëzim e Gramoz por edhe Dionisopoulos Rexhepi.

Në vitin 2004 ka ndryshuar emrin nga Gramoz në Dritan, ndërsa në datën 20 mars 2004, ka vjedhur e ka nisur të përdorë identitetin e shtetasit Lulëzim Murataj, banor i Komunës Kotë i lindur në fshatin Velçë, i dënuar në Angli.

Dritan Rexhepi është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998. Atëherë u cilësua si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Pas asaj ngjarje, u arrestua në vitin 2007 në një operacion të forcave speciale në një hotel në qendër të Tiranës dhe u transferua në policinë e Durrësit.
Nga viti 2005, deri në këtë kohë, i riu nga Vlora ishte regjistruar si student në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë.

Pasi u mor në pyetje nga prokurori, u arratis nga paraburgimi i Durrësit teksa po nxirej nga qelia për ti bërë fotografitë. Me akuza të reja mbi supe, Dritan Rexhepi u shpall në kërkim por policia shqiptare nuk ra në gjurmët e tij derisa në vitin 2013 u arrestua në Itali.

Shqipëria filloi procedurat për të nisur dosjen me qëllim ekstradimin, por mori si përgjigje njoftimin se i kërkuari nuk gjendej pasi ishte arratisur nga burgu i Vogheras në Itali, duke sharruar hekurat e qelisë.

I shpallur në kërkim tashmë nga dy shtete, Dritan Rexhepi u bë objekt i Interpolit që filloi gjurmimin e tij dhe e arrestoi në Spanjë, për ta ekstraduar në Belgjikë ku ishte vendosur në burgun Merksplas. Edhe aty, shqiptari i shumëkërkuar bëri atë që dinte më mirë, arratisjen dhe largimin në drejtim të paditur, pasi arriti të dalë nga ambientet e burgut duke kapërcyer murin rrethues.

Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar me gjeneralitetet Lulëzim Murataj në datën 28 nëntor dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikë kalimi dhe hyrja e fundit e tij është në datën 16 nëntor 2013. Kjo kohë përkon me kthimin e Dritan Rexhepit në një super-bos të krimit ndërsa në qershor të vitit 2014 Interpoli njoftoi kapjen e tij në Ekuador.

Asokohe 34 vjeç, ai ra në pranga gjatë një operacionit “Balance” në të cilin u sekuestruan rreth 278 kg kokainë që po trafikohej me një numër shtetasish shqiptarë dhe të huaj.

Nga verifikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulzim Murataj, është personi i shpallur në Kërkim Ndërkombëtar, Dritan alias Gramos Rexhepi ose “Dioniso Poulos”, i cili ishte arrestuar në Ekuador…”.

Arrestimi në Ekuador nuk e pengoi Dritan Rexhepin në aktivitetin e tij kriminal, pasi dyshohet se nga burgu drejtonte aktivitetin e rrjetit ku bënte pjesë në disa shtete. Në vitin 2016, Rexhepi u përgjua nga autoritetet italiane teksa fliste me një shpërndarës droge që kërkonte që ata të krijonin markën e tyre në këtë aktivitet. Nga burgu, ai propozoi emrin “Bello” dhe më pas, aktiviteti kriminal i tyre u njoh me emrin “kompania Bello” duke zënë gjithnjë e më shumë vend në qarkullimin ndërkombëtar të drogës nga vendet e origjinës drejt BE-së.

Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në burgun e sigurisë së Lartë në Ekuador, Rexhepi ka mbajtur telefon në qeli ku besohet se prej aty, porositi e drejtoi trafikimin e 283 kg kokaine nga porti Guajakil i Ekuadorit ne portin e Portsmuthit ne Angli. Kjo sasi droge u grabit nga një kontejneri me banane në Angli dhe kjo ngjarje, dyshohet se u bë shkak për rrëmbimin e Jan Prengës, babai i tre fëmijëve me urdhër të Rexhepit, në 17 janar 2020 në Kamëz.

Pesë ditë pas pengmarrjes në Tiranë, disa biseda të përgjuara nga burgu ku ndodhej Rexhepi e ekspozuan atë në komunikim me vëllain e Jan Prengës në Angli ku thuhet se njerëzve të trafikantit në Angli u janë kthyer 106 kg kokainë dhe 700 mijë paund, pjese e ngarkesës së drogës të grabitur në Portsmuth. Gjurmët e fundit të Jan Prengës janë në një kompleks në Shijak ku besohet se është keqtrajtuar ndërsa trupi i tij nuk është gjetur asnjëherë.

Në vitin 2021, Ekuadori e liroi nga burgu me kufizimin për të mos dalë jashtë vendit, por shpejt, Dritan Rexhepi, i quajtur edhe si mbreti i kokainës apo mjeshtri i arratisjeve, humbi gjurmët dhe nuk u gjet më nga policia deri pak ditë më parë në 8 nëntor kur u arrestua nga policia turke.

/Shqip.com