Ministrja gjermane e Mbrojtjes: Më 13 maj do të merren disa vendime në dialogun Kosovë-Serbi

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambercht, gjatë konferencës për media me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se pret që më 13 maj, të merren vendime të mira në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Lambercht tha se hapat e parë do të mund të ishin vendimet për njohjen reciproke të dokumenteve.
“Ky proces shpresoj që do të marrë një dinamikë të re dhe që do të ketë edhe vendime të mira më 13 maj, në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin edhe vendimet për njohjen reciproke të dokumenteve”, ka thënë Lambrecht.
Në konferencë, Kurti tha se dialogu duhet të përfundojë me marrëveshje reciproke.
“Besoj se dialogu duhet të zhvillohet përbrenda vlerave të BE-së dhe të ketë karakter transformues ku edhe Kosova edhe Serbia me qytetarët e tyre përfitojnë. Dhe i afrohemi anëtarësimit në BE. Ky dialog duhet të rezultoj me marrëveshje por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk them se duhet të jetë i vetmi element, por duhet të ketë edhe elemente të tjera por njohja reciproke duhet të jetë në qendër”, u shpreh Kurti.
Më 13 maj në Bruksel do të takohen kryenegociatorët në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Gjatë ditës së mërkurë, në Gjermani janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak./Shqip.com