Ministria e Jashtme gjermane thirrje Kosovës dhe Serbisë “të mos e provokojnë njëra-tjetrën”

Ministria e Jashtme e Gjermanisë, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë “të mos e eskalojnë situatën duke provokuar njëra-tjetrën”.
Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se Zyra Federale e Jashtme po e monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës dhe në pikat e kalimit kufitar midis dy shteteve.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo provokim dhe të mos e eskalojnë situatën menjëherë”, ka thënë Ministria e Jashtme gjermane në një përgjigje të dhënë për Klankosova.tv
“Ne mbështesim plotësisht punën e të Dërguarit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, për të forcuar dialogun e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës dhe mbështesim deklaratat e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, mbi këtë çështje”, thuhet tutje në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ndryshe, që nga java e kaluar, Policia e Kosovës ka shtuar angazhimin në veri të vendit pasi tash e nëntë ditë rrugët afër pikave kufitare me Serbinë, Jarinje e Bërnjak, janë të bllokuara nga serbët.
Ata po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat e veturave që hyjnë nga Serbia.
Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare. Ata janë provokuar disa herë nga protestuesit serbë, të cilët lëshonin këngë nacionaliste.
Po ashtu, gjatë ditëve të fundit janë parë edhe helikopterë ushtarak serbë që patrullonin mbi këto pika kufitare./Shqip.com