Lajme

Ministria e Ekonomisë pagoi 93 mijë euro për 18 punëtorë pa punuar fare

Ministria e Ekonomisë

Ministria e Ekonomisë ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë të 93 mijë eurove në vitin 2021, duke paguar punëtorë të cilët nuk punojnë fare.

Numri i këtyre punëtorëve është 18 dhe të njëjtit i përkasin komunitetit serb, të punësuar sipas marrëveshjes së Brukselit, “Mbrojtja Civile”.

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për këtë ministri për vitin 2021, thuhet se të njëjtit nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet.

“Në kuadër të kësaj marrëveshje për integrim, në Ministrinë e Ekonomisë përmes akt-emërimeve janë të punësuar 18 punonjës të komunitetit serb të cilët marrin paga të rregullta. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 93,435€”, thuhet në raport.

Por, kjo situatë po del të mos jetë vetëm për vitin 2021.

Raporti thekson se situatë e njëjtë është paraqitur dhe vitet e kaluara dhe se ministria nuk ka ndërmarrë masa.

“Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezent ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të punësuarve”.

Si rrjedhojë, në këtë mënyrë po dëmtohet buxheti i ministrisë.

“Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezentë ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve. Ministrja duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”.

Situatë e njëjtë është edhe në shumë institucione të tjera të vendit.

Të njëjtat kishin punësuar qytetarë të komunitetit serbë, bazuar në marrëveshjen e Brukselit, por edhe pse nuk janë paraqitur në vend të punës janë paguar./Shqip.com