Ministri Sveçla: Vatrat e zjarrit janë lokalizuar, qytetarët janë të sigurtë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi një zjarr i madh ka kapluar një pjesë të Malit të Rugovës, saktësisht në fshatin Shtupeq të Madh.
Siç ka bërë të ditur ai, zjarri tashmë është lokalizuar dhe po punohet për vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
“Gjendja e vatrave të zjarrit është lokalizuar dhe po punohet pandërprerë në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarrit si nga zjarrëfikësit, FSK-ja dhe KFOR-I, të cilët janë plotësisht të përkushtuar të përfundojnë me sukses këtë intervenim”.
“Qytetarët dhe prona e tyre, deri në këto momente, janë të sigurt dhe nuk ka nevojë për asnjë shqetësim”, ka shkruar Sveçla në profilin e tij në Facebook.
Tutje, ministri ka bërë të ditur se MPB-ja menjëherë ka aktivizuar strukturat e saj dhe ka ndërmarrë veprime në monitorim, informim si dhe koordinim të kësaj situate.
“Njësitë e zjarrfikësve nga rajoni i Pejës dhe Gjakovës janë angazhuar me kapacitet të plotë në shuarje të zjarrit. Njëherit, në shuarje të zjarrit është angazhuar edhe Policia e Kosovës, me njësi të saj të veçanta si dhe Forca e Sigurisë së Kosovës”.
Ndërsa, sipas inspektorit të parandalimit, Nijazi Gashi, ky zjarr preku shtatë vatra – ndërkaq njoftoi se ka filluar para dy ditësh, por pas intervenimit tashmë është larguar rreziku.
“Po, zjarri ka përfshi një pjesë të Malit të Rugovës, saktësisht te fshati Shtupeq i Madh. Zjarri ka qenë i përhapur në shtatë vatra, por thuajse është lokalizuar tashmë. Zjarri ka filluar para dy ditësh, por falë intervenimit tashmë është larguar rreziku”, ka thënë Gashi./SHQIP.com