Lajme

Ministri Mehaj për sulmin rus: Nëse kërkon SHBA jemi të gatshëm t’i ofrojmë kapacitet operacionale të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka reaguar pas sulmeve ruse në Ukrainë.

Ai u shpreh se nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik Kosova është e gatshme të ofrojë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që  vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme.

“Republika e Kosovës është e bashkuar fuqishëm me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, aleatët e tyre nga NATO dhe Bashkimin Evropian.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë fuqishëm në vazhdimësi, orientimin e plotë dhe të natyrshëm euroatlantik, andaj edhe kërkojmë nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO”, ka shkruar ai.

Mehaj përmes një postimi në Facebook theksoi se është koha që SHBA-të të vendosin Bazën e Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.

Ndërsa, vlerësoi se është po ashtu koha që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në NATO të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive.

“Duke pasur parasysh, kërcënimet dhe rreziqet që cenojnë shumë seriozisht mjedisin e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe demokracisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga politika destruktive dhe agresive e Rusisë dhe aleatëve të saj, është koha që SHBA të miratojë kërkesën tonë të kahershme për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes.  

Ai u shpreh se me vëmendje po monitorojnë situatën kritike të sigurisë në Evropë të shkaktuar nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainisë. /Shqip.com